Secondary Adv

Protesta e opozitës para Kryeministrisë, oraret dhe rrugët që bllokohen

Policia e Tiranës ka bërë publike masat e sigurisë dhe kufizimet e qarkullimit për protestën e Partisë Demokratike që do të zhvillohet sot para Kryeministrisë, nga ora 18:00 deri në 20:00.

Kufizimet në qarkullim dhe parkim

Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 14:00 ndalohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshin “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ismail Qemali”, “Papa Gjon Pali II”, bulevardin “Zhan D’Ark” dhe “Bajram Curri”.

 

Ndërsa nga ora 15:00 deri në përfundim të protestës do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga Ministria e Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

 

Policia paralajmëron se, në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime shtesë edhe në rrugë të tjera, ndërsa qarkullimi do të devijohet përmes akseve alternative për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.

 

Apeli i Policisë për qytetarët

Policia e Tiranës u bën apel qytetarëve të shmangin përdorimin e automjeteve në zonat e bllokuara dhe të zgjedhin rrugë alternative për të mos penguar zhvillimin e tubimit dhe lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve. Sipas njoftimit, të gjitha masat janë ndërmarrë në zbatim të ligjit “Për tubimet”, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë protestës së PD-së.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat